Sistem i qendërzuar për gjobat për të gjithë institucionet, lidhet kontrata 3.1 mln euro
Të gjitha institucionet në vend do të kenë një sistem të qendërzuar për gjobat i cili do të ndjekë gjithë etapat nga lëshimi i tyre deri tek pagesa si për individët edhe për bizneset.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi se tashmë ka lidhur kontratën për këtë projekt me një vlerë 3.1 milionë euro me A-T-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION.
Referuar dokumentacionit, projekti për implementimin e sistemit të qendërzuar të mbledhjes së gjobave synon të transformojë dhe modernizojë metodat aktuale të administrimit të masave administrative të llojit gjoba që lëshohen dhe administrohen nga institucionet shtetërore në një model të unifikuar që mbështetet në teknologjinë digjitale dhe automatizimin.
Të paktën katër janë detyrat që lidhen me operatorin sa i takon sistemit të qendërzuar:
Krijimi i një Ndërfaqeje të Qendërzuar: Qëllimi është të ndërtohet një portal qendror që mundëson menaxhimin e të gjitha aspekteve të gjobave, duke filluar nga lëshimi i tyre deri tek mbledhja dhe regjistrimi i pagesave. Ky portal do të jetë i aksesueshem për të gjitha institucionet dhe agjencitë qeveritare dhe do të ofrojë një mjedis të përshtatshëm për qytetaret dhe bizneset për të shlyer detyrimet e tyre financiare.
Standardizimi i Procedurave: Synohet standardizimi i procedurave të mbledhjes së gjobave nëpër të gjitha agjencitë dhe institucionet qeveritare për të siguruar një trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët dhe bizneset dhe për të minimizuar gabimet dhe abuzimet e mundshme.
Automatizimi dhe Integrimi i Proceseve: Implementimi i zgjidhjeve teknologjike për automatizimin e proceseve që përfshijnë lëshimin e gjobave, njoftimin, mbledhjen e pagesave dhe monitorimin e statusit të tyre. Kjo do të ndihmojë në reduktimin e kostove administrative dhe në rritjen e efikasitetit operacional.
Përmirësimi i Transparencës dhe Qasjes për Qytetaret: Ofrimi i një ndërfaqeje të thjeshtë dhe intuitive për qytetaret dhe bizneset e aksesueshme përmes portalit e-albania për të menaxhuar dhe kryer pagesat e tyre, duke përfshire gjithashtu funksionalitete për njoftimin automatik dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Në dokument argumentohet se aktualisht, procesi i mbledhjes se gjobave në Shqipëri është i fragmentuar, ku çdo institucion apo agjenci qeveritare përdor sisteme të ndryshme në format, përmbajtje, teknologji dhe koncept.
“Kjo shkakton mospërputhje, vonesa, dhe rritje të kostove administrative. Qytetarët përballen me konfuzion dhe vështirësi për të kryer pagesat e gjobave, ndërsa qeveria has sfida në gjurmimin dhe menaxhimin efektiv të të ardhurave nga gjobat” thuhet në dokument./ Monitor (https://monitor.al/sistem-qenderzuar-per-gjobat-per-te-gjithe-institucionet-lidhet-kontrata-3-1-milione-euro/)